Add parallel Print Page Options

Atëherë Samueli i foli tërë shtëpisë së Izraelit, duke thënë: "Në rast se ktheheni tek Zoti me gjithë zemër, hiqni nga gjiri juaj perënditë e huaja dhe Ashtarithin dhe mbani zemrën tuaj tek Zoti dhe i shërbeni vetëm atij, atëherë ai do t’ju çlirojë nga duart e Filistejve".

Kështu bijtë e Izraelit hoqën mënjanë Baalët dhe Ashtarothët dhe i shërbyen vetëm Zotit.

Pastaj Samueli tha: "Mblidhni tërë Izraelin në Mitspah dhe unë do t’i lutem Zotit për ju".

Kështu ata u mblodhën në Mitspah, morën ujë dhe e derdhën përpara Zotit; pastaj po atë ditë agjëruan dhe atje thanë: "Kemi mëkatuar kundër Zotit". Samueli i gjykoi bijtë e Izraelit në Mitspah.

Kur Filistejtë mësuan që bijtë e Izraelit ishin mbledhur në Mitspah, princat e Filistejve u nisën kundër Izraelit. Kur bijtë e Izraelit dëgjuan këtë patën frikë nga Filistejtë.

Atëherë bijtë e Izraelit i thanë Samuelit: "Mos e ndërpre klithmën tënde për neve tek Zoti, që ai të na shpëtojë nga duart e Filistejve".

Kështu Samueli mori një qengj pirës dhe e ofroi tërësisht si olokaust Zotit; Samueli i thirri Zotit për Izraelin dhe Zoti ia plotësoi kërkesën.

10 Ndërsa Samueli ofronte olokaustin, Filistejtë u afruan për të sulmuar Izraelin; por Zoti bubulloi me buçimë të madhe kundër Filistejve dhe i ngatërroi deri në atë pikë sa u mundën para Izraelit.

11 Njerëzit e Izraelit dolën nga Mitspahu, i ndoqën Filistejtë dhe i mundën deri poshtë Beth-Karit.

Read full chapter