Add parallel Print Page Options

Kur Ish-Boshethi, bir i Saulit, mësoi që Abneri kishte vdekur në Hebron, i ranë krahët dhe i tërë Izraeli u trondit rëndë.

I biri i Saulit kishte dy njerëz që ishin udhëheqës ushtarakë; njeri quhej Baanah dhe tjetri Rekab; ishin bij të Rimonit prej Beerothit, nga fisi i Beniaminit. (Sepse edhe Beerothi konsiderohet si pjesë e Beniaminit,

megjithëse Beerothitët kanë mërguar në Gitthaim, ku kanë qëndruar deri ditën e sotme).

Por Jonathani, bir i Saulit, kishte një djalë sakat nga këmbët; ai ishte pesë vjeç kur erdhi nga Jezreeli lajmi i vdekjes së Saulit dhe të Jonathanit. Taja e tij e mori dhe ikën, por, duke ikur me nxitim, fëmija u rrëzua dhe mbeti i çalë. Emri i tij ishte Mefibosheth.

Bijtë e Rimon Beerothitit, Rekabi dhe Baanahu, u nisën dhe arritën në kohë të zhegut në shtëpinë e Ish-Boshethit, ndërsa ai po bënte pushimin e tij të mbasditës.

Hynë brenda shtëpisë sikur do të merrnin grurë dhe e goditën në bark. Pastaj Rekabi dhe vëllai i tij Baanahu ua mbathën këmbëve.

Kur hynë në shtëpi, Ish-Boshethi rrinte shtrirë në shtrat në dhomën e tij; e goditën, e vranë dhe i prenë kokën; pastaj pasi e morën kokën, ecën tërë natën duke ndjekur rrugën në drejtim të Arabahut.

Kështu ia çuan kokën e Ish-Boshethit Davidit në Hebron dhe i thanë mbretit: "Ja koka e Ish-Boshethit, birit të Saulit, i cili kërkonte jetën tënde; sot Zoti i ka dhënë mbretit zotërisë tim, hakmarrjen mbi Saulin dhe mbi pasardhësit e tij".

Read full chapter