Add parallel Print Page Options

Muajin e dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit, ditën e trembëdhjetë të muajit, kur duhet të zbatoheshin urdhri dhe dekreti i mbretit, dita në të cilën armiqtë e Judejve shpresonin të sundonin mbi ta, situata u përmbys krejt dhe Judejtë sunduan mbi armiqtë e tyre.

Judejtë u mblodhën në qytetet e tyre, në të gjitha krahinat e mbretit Asuero, për të shtrirë dorën kundër atyre që kërkonin t’u bënin keq; dhe askush nuk mundi t’u rezistonte atyre, sepse tmerri i Judejve i kishte zënë tërë popujt.

Tërë krerët e krahinave, satrapët, qeveritarët dhe ata që merreshin me punët e mbretit i përkrahën Judejtë, sepse tmerri i Mardokeut i kishte zënë.

Në fakt Mardokeu ishte i madh në pallatin e mbretit, dhe fama e tij përhapej në të gjitha krahinat, sepse ky njeri, Mardokeu, bëhej gjithnjë më i madh.

Kështu Judejtë goditën tërë armiqtë e tyre, duke i kaluar në tehun e shpatës dhe duke kryer një kërdi dhe një shkatërrim të madh; u sollën si deshën me armiqtë e tyre.

Në qytetin e Suzës Judejtë vranë dhe shfarosën pesëqind njerëz;

vranë edhe Parshandathan, Dalfonin, Aspathan,

Porathan, Adalian, Aridathan,

Parmashtan, Arisain, Aridain dhe Vajezathan,

10 dhjetë bijtë e Hamanit, birit të Hamedathas, armiku i Judejve, por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

11 Po atë ditë numri i atyre që ishin vrarë në qytetin e Suzës iu njoftua mbretit.

12 Mbreti i tha atëherë mbretëreshës Ester: "Në qytetin e Suzës Judejte kanë vrarë dhe shfarosur pesëqind njerëz dhe dhjetë bij të Hamanit; çfarë kanë bërë vallë në krahinat e tjera të mbretit? Tani cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet. Çfarë tjetër kërkon? Do të bëhet".

13 Atëherë Esteri tha: "Në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, le të lejohen Judejtë që janë në Suzë të bëjnë edhe nesër atë që është dekretuar për sot; dhe të varen në trekëmbësh të dhjetë bijtë e Hamanit".

14 Mbreti urdhëroi që të veprohej pikërisht kështu. Dekreti u nxuarr në Suza dhe dhjetë bijtë e Hamanit u varën në trekëmbësh.

15 Judejtë që ishin në Suza u mblodhën edhe ditën e katërmbëdhjetë të muajit të Adarit dhe vranë në Suza treqind njerëz; por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

16 Edhe Judejtë e tjerë që ishin në krahinat e mbretit u mblodhën, për të mbrojtur jetën e tyre dhe për të qenë të sigurt nga sulmet e armiqve të tyre; vranë shtatëdhjetë e pesë mijë nga ata që i urrenin, por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

17 Kjo ndodhi ditën e trembëdhjetë të muajit të Adarit; ditën e katërmbëdhjetë u çlodhën dhe e kthyen në një ditë banketi e gëzimi.

Read full chapter